Në datë 3 Prill 2021 Qendra për Zhvillimin e Muzeve, Trashëgimisë dhe Kulturës/MuZEH Lab hapi dyert për komunitetin e Durrësit por jo vetëm. Inagurimi i Qendrës u çel me ekspozitën instalacion KOHA i artistit Oltsen Gripshi, kuruar nga Dorina Xheraj Subashi.

Instalacioni “KOHA” i artistit, në vetvete kërkon të përfshijë brenda saj aktivizimin me komunitetin duke krijuar një dialog e reflektim rreth KOHËS së shkuar, në bashkëkohësinë që jetojmë dhe thurjes së saj në të ardhmen. Artisti nëpërmjet këtij instalacioni monumental kërkon të ngërthej KOHËN si ndjesi brenda qenies njerëzore, si përjetim i vegimeve vetmitare, si substancë molekulare që përbën kozmosin, si hapësirë pa vëllim, si hapësirë mendore shumëngjyrëshe, duke e muzealizuar atë brenda një hapësire muzeore. A është KOHA materie e prekshme ku lundron gjurma njerëzore apo është thjeshtë një perceptim konceptual i artistit Gripshi? Ne jetojmë me KOHËN brenda apo jasht saj PAKOHË? Çfarë ngjyre ka KOHA? Çfarë përmase ka ajo? Çfarë moshe? A ndikon KOHA në formësimin tonë si materie fiziologjike? Mos ndoshta KOHA frymon me grimcat e frymëmarrjes tonë? Të gjitha këto dilema pikëpyetje artisti i konkretizon përmes simbolikës së orës, e cila shpërfaqet si semiotikë e vetë KOHËS […]. Për artistin Oltsen Gripshi KOHA është një “krijesë” e pavdekshme, e cila jeton in aeternum, ku nuk ka as lindje dhe as vdekje! Oltsen Gripshi përmes këtij instalacioni konceptual thellohet në hulumtimin e KOHËS si përmasë jetësore, ku përpos orëve ai bën bashkë retë fluturuese, si edhe fjalët; E SHKUARA, E TASHMJA, E ARDHMJA si kode ku shqetesimet sociale reflektohen ndaj KOHËS apo KOHËN si estetikë bashkë me sundukun 100 vjeçar të trashëgimisë familjare të gjyshes së tij, i cili mbart në brendësi peshën e KOHËS si rrëfenjë e një kujtimi eremit!

Ekspozita do të qëndroj e hapur për publikun deri në datë 4 Maj 2021.

Ju ftojmë të na vizitoni nga e Hëna në të Dielë, në orarin 10:00-14:00, 17:00-20:00.

Scroll to top