Nga Arjola Kondakçiu: Përse duhet vizituar “MuZEH LAB”?
Përse duhet vizituar “MuZEH LAB” ?
MuZEH LAB në Durrës, edhe pse nuk ndodhet në pika qendrore por vetëm 50 metra pas Poliklinikës Qendrore, fakti që gjendet në një rrugicë që identifikon më së miri arkitekturën e ndërtesave të vjetra por tepër domethënëse për historikun e vazhdimësisë së qytetit, është vërtet një gjetje e duhur. Nga vetë shkurtimi i fjalës “Lab”, që s’ka lidhje me labërinë siç keqinterpretohet por me konceptin e një laboratori ku zhvillohen eksperimente, e krahas kësaj edhe emri “Muze” ku e muza e frymëzimit mbizotëron, themeluesja e kësaj qendre kulturore Dorina Xheraj – Subashi, njëkohësisht dhe lektore në studimet muzeale e trashëgimisë kulturore në Departamentin e Turizmit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës e bashkëpunëtore me muzeumet nëpër botë, ka menduar që në koherencë me emrin e muzeut të japë e vlerësojë edhe ide interesante nga të tjerët me synim që njerëzit të afrohen drejt muzeve, duke i dhënë gjallëri si në këtë rast.
MuZEH LAB ka vetëm pak muaj që është hapur, por ka evoluar në përshtatje dhe me programin për aktivitete kulturore, edukative, të trashëgimisë materiale, muzeale e arkeologjike, madje dhe në ato të zhvillimit ndërgjegjësues, pa diskriminim gjinor, rracor, etnik a prejardhje fetare deri në promovime dhe argëtime të formave moderne.
Ja pse vizitorë të ndryshëm vendas e të huaj janë mahnitur që nga porta hyrëse e këtij muzeu ku qëndrojnë pusulla të shkruara me shprehje inkurajuese, premtime nga lidhja e fjongove plot ngjyra dhe ndjesisë së fatit nëpërmjet kyçave pa çelësa ndër hekura, si për të dhënë mesazhe ripërtëritje shprese. Dhe modestia e hapësirës së brendshme ka veçantinë e vet sepse objekte të ndryshme si: gramafoni, radioja e vjetër, enë gatimi, qilima prej tezgjahu, fshesa artizanale, veshje karakteristike popullore zbukuruar me artin e qëndistarisë, sënduk, çanta me thurje etj, kanë një histori të vetën sipas periudhës kohore që i përkasin ndër vite, duke identifikuar ndjeshëm kulturën e pasur të vendit tonë.
*Duke e parë edhe turizmin si një mënyrë të frytshme për përçimin e kulturës, këtë guidë brenda muzeut (në bashkëpunim dhe me median “Amfora”) Dorina e kishte titulluar si: “Objektet që zgjojnë emocione”, pra tema ku vërtitej gjithë biseda interesante që solli në fokus kulturën në të gjitha format e saj.
*Por MuZEH LAB e ka filluar aktivitetin e parë në muajin prill me idenë e pavdekshmërisë “Fuqia e rrëfimit të kohës” nga kuratori Oltsen Gripshi, ku nëpërmjet orëve të formave të ndryshme varur nën re simbolike, në mënyrë reflektimi konceptohet /E Shkuara/ E Tashmja/ E Ardhmja/.
*”Përmes rreshtave”, ishte një tjetër aktivitet me vlerë letrare që zgjoi ndjesinë e shijimit nga leximi me interpretim i disa letrave dashurie, shkruar fuqimisht nga autorë të njohur.
*Atmosferë gjallëruese solli gjatë verës dhe aktiviteti në kuadër të angazhimit “Festivali i natës së muzeve”, shoqëruar me muzikë të zgjedhur e videoklipe të ndryshme kulturore.
*”Pasioni im: Koleksionizmi” ishte aktiviteti vijues ku eksperienca personale frymonte dhe depërtonte ndjesi aromash nostalgjie, identiteti, kulture, trashëgimnie, gjurme në kohë e arratisje nëpërmjet fokusimit të objekteve si: ora, çanta, çarçafë, karta telefoni, libra të vjetër a pulla poste të ruajtura në traditën familjare ose kultivuar si koleksion personal.
*Promovimi i librit të Albaj Dajlanaj pati një frymë kulturore ndryshe brenda ambjenteve të MuZEH LAB, sepse mblodhi krijues e dashamirës të librit.
*Ky muze i ka dyert e hapura për çdo lloj moshe, sepse ka funksionuar edhe si kinema me filma të përzgjedhur edukativë për fëmijë, por edhe jashtë ambjentit të muzeut në shëtitoren “Vollga”, ku bashkëpunëtorët kanë organizuar aktivitetin interesant “Tapeti lëvizës”; një lojë e mprehtë sa argëtuese aq dhe informuese që përfshiu fëmijë e prindër, ku ideja e tapeteve në copëza mozaiku që fshihnin figura historike antike nga Durrësi duheshin bashkuar dhe vendosur në vendin e duhur, që të formohej figura e saktë e cila mbarte një domethënie. Më e njohura nga fëmijët e që realizohej më shpejt sigurisht që ishte “Bukuroshja e Durrësit”.
*”Imazhe që nxisin interpretimin” ishte aktiviteti për njohjen e kulturës në vende të ndryshme me bazë foto e video që personat kishin parë gjatë udhëtimeve të këtij viti, ku ndër të tjera publikimi i monumenteve e parqeve arkeologjike ishin më të realizuarat për shijet estetike.
*Së fundmi, “Oda poetike”, ku spikati organizimi i Rei Hodo, vuri në fokus disa autorë, poezitë e të cilëve u lexuan pas një përzgjedhje të rastësishme në fleta të bëra rrotull si nostalgji të atyre kohëve kur jetuan autorët, por të shoqëruara edhe me fletëza enigmë informacioni që falë bisedave të këndshme, ndërtuese e me humor mes pjesëmarrësve u shkëmbyen njohuri edhe nga jeta e këtyre gjenive duke filluar nga Ndre Mjeda, Odysseas Elytis, Aleksandër S. Pushkin, etj.
A do të ketë vazhdimësi? Sigurisht që po, pasi ka akoma njerëz me ide të veçanta që e gjejnë veten të realizuar në këto lloj ambjentesh. Nëse dhe ti që po e lexon këtë artikull ndihesh i tillë, atëherë mos ngurro ta vizitosh MuZEH LAB në Durrës! Arjola Kondakçiu
https://newsalbania.al/nga-arjola-kondakciu-perse-duhet-vizituar-muzeh-lab/